Instituti Albanologjik - Prishtinë
INSTITUTI ALBANOLOGJIK - PRISHTINË

Instituti Albanologjik është institucion i pavarur publik kërkimor-shkencor me rëndësi të veçantë kombëtare, që merret me studimin e kulturës shpirtërore e materiale të shqiptarëve. Veprimtarinë e vet e zhvillon në bazë të Ligjit për Institutin Albanologjik dhe Ligjit për Veprimtarinë Kërkimore-Shkencore të Kosovës.

Instituti Albanologjik ka për objekt veprimtarie punën kërkimore-shkencore nga fushat e albanologjisë: gjuhësi, letërsi, histori, folklor dhe etnologji. Veprimtarinë e tij e zhvillon duke i hulumtuar problemet albanologjike në terren dhe arkiva, duke i studiuar ato dhe duke i botuar rezultatet e arritura shkencore. Organizon sesione, simpoziume, konferenca e tryeza ku trajtohen çështje te ndryshme ne fushat e shkencave albanologjike. Organet udhëheqëse të Institutit janë: Këshilli Shkencor, si organ shkencor-profesional, Këshilli Drejtues, si organ kolegjial i udhëheqjes dhe drejtori i Institutit. Ka arkivin, bibliotekën, sallën e eksponateve, sallën e leximit, sallën shkencore dhe kabinetet e punëtorëve ku mundësohet puna e pavarur hulumtuese-shkencore.

 

 Historiku i Institutit Albanologjik

 

Instituti Albanologjik u themelua më 1 qershor 1953. Në fillim i kishte katër punonjës dhe një numër bashkëpunëtorësh të jashtëm. Ata e morën seriozisht punën dhe u angazhuan në fusha të caktuara të studimeve shqiptare, por pushteti i atëhershëm serb dëshironte që këtë institucion ta përdorte për nevoja të propagandës së jashtme, ndërsa, në të vërtetë, që në fillim, ishte angazhuar, me të gjitha mënyrat, ta sabotonte punën e tij. Me vendim të organeve shtetërore, Instituti u mbyll më 25 dhjetor 1955. Shërbimi sekret shtetëror i sekuestroi dorëshkrimet, kurse punëtorët shkencorë i transferoi e dëboi.


 

Studimet albanologjike mbetën kështu pa qendër institucionale dhe punonjësit shkencorë jo vetëm që u shpërndanë, por edhe u përndoqën nga pushteti i atëhershëm serb.

Në vitet 60, kur filloi edhe shkollimi universitar me hapjen e disa fakulteteve në Prishtinë, u ngjallën edhe studimet albanologjike. Në rrethanat e krijuara pas vitit 1966, më 28 shkurt 1967, u rithemelua Instituti Albanologjik i Prishtinës me vetëm pesë punonjës shkencorë dhe u vendos në një ndërtesë të vjetër të ish-kazermave ushtarake. Në saje të angazhimit të veçantë të punonjësve shkencorë të brezit të themeluesve të tij, brenda dhjetëvjetëshit të parë ky institucion e krijoi fizionominë e vet të plotë dhe shënoi rezultatet e para, shumë të rëndësishme, në të gjitha fushat e studimeve albanologjike. Brenda këtij dhjetëvjetëshi u bë një punë e madhe për ngritjen e kuadrit të ri shkencor dhe u mblodh lëndë e pasur folklorike, etnologjike, gjuhësore etj. Në të gjitha viset shqiptare, u bënë hulumtime të shumta në arkiva e biblioteka dhe u mblodh një fond relativisht i pasur i librave dhe i publikimeve të ndryshme shkencore për bibliotekën e tij. Në vitin 1977 Instituti Albanologjik u vendos në ndërtesën e re moderne të ndërtuar enkas për këtë institucion të rëndësishëm kombëtar, pasi që u shumëfishua numri i kuadrove dhe u hapën edhe degë e seksione të reja.

Instituti Albanologjik i Prishtinës nga politika sllave mori goditje të reja edhe gjatë dhjetëvjetëshit të dytë të punës së tij. Pas vitit 1981 kur kishte filluar procesi i zhbërjes së autonomisë së Kosovës nën presionin e drejtpërdrejtë të politikës, të cilën e karakterizonte lufta kundër “irredentizmit shqiptar”, puna e tërësishme e këtij institucioni e në mënyrë të veçantë planifikimi afatgjatë dhe veprimtaria botuese, iu shtrua rishikimit dhe vlerësimit politik. Goditja më e madhe u bë në fushën e bashkëpunimit brendashqiptar, sepse në këtë periudhë gati për 10 vjet me radhë u ndërpre çdo formë e bashkëpunimit me institucionet shkencore të Shqipërisë. Në këto kushte, përveç dëmtimit të përgjithshëm, mbetën të pakryera edhe disa projekte të mëdha, siç janë “Atlasi dialektologjik i të folmeve shqipe”, “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë” etj.

Në dhjetëvjetëshin e tretë, Instituti Albanologjik i Prishtinës mbeti pa asnjë lloj financimi, por vazhdoi të punonte. Punonjësit e tij, tani të bindur se rruga e fitores kalon nëpër sakrifica, u detyruan të jetonin edhe me ndihma që vinin nga asociacione të ndryshme humanitare, siç ishte, bie fjala, Shoqata Bamirëse “Nënë Tereza”. Mirëpo, vullneti për punë nuk pushoi asnjëherë, hulumtimet, prezantimet e publikimet vazhduan edhe pse tani me vështirësi shumë të mëdha. Falë ndihmës së donatorëve, veprimtaria shkencore e Institutit Albanologjik nuk u ndërpre asnjëherë tërësisht. Nuk u ndërpre madje as atëherë kur objekti i Institutit Albanologjik u mor me dhunë më 8 mars 1994 dhe kur punonjësit e tij u nxorën të përgjakur nga vendet e punës. Ata arritën të riorganizohen dhe të vazhdojnë punën në formë institucionale në një shtëpi private, në kushte mjaft të vështira të punës. Aktivitetet shkencore nuk u ndalua dhe ky institucion vazhdoi veprimtarinë e tij në këtë objekt deri më 1 prill 1998, kur autoritetet e pushtetit të dhunshëm serb në Kosovë, pas një marrëveshjeje shqiptaro-serbe, të arritur me ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare, e liruan objektin e Institutit Albanologjik, të uzurpuar nga organet serbe të pushtetit. Kjo ishte shpresë e madhe për popullin e Kosovës se do të ktheheshin edhe objektet e tjera të uzurpuara, por kjo shpresë qe afatshkurtër, sepse lufta, e cila veç kishte filluar në Kosovë, erdhi duke marrë përmasa të mëdha dhe çdo gjëje do t’i humbte kuptimi për një kohë.

Në periudhën e bombardimeve të NATO-s, ndërtesa e Instituti Albanologjik ka shërbyer si objekt strehimi, ku janë fshehur forcat serbe.  Gjatë kësaj periudhe ndërtesa ka pësuar dëme të mëdha, sidomos me zhdukjen e materialeve me vlera të veçanta nga Arkivi shkencor i këtij instituti.

Pas një numri të madh viktimash e dëmesh të pallogaritshme që pësoi Kosova në luftën e saj çlirimtare, në qershorin e vitit 1999, Instituti Albanologjik prapë iu kthye jetës dhe punës hulumtuese e shkencore.

 

 Instituti Albanologjik sot

 

Sot Instituti Albanologjik i Prishtinës ka pesë degë themelore, në të cilat e zhvillon aktivitetin e vet. Janë këto: Gjuhësia, Letërsia, Historia, Folklori dhe Etnologjia, por edhe sektorë të tyre që merren me fusha të veçanta studimi. E përbashkëta e këtyre degëve është studimi i kulturës kombëtare, asaj shqiptare, që quhet Albanologji. Sa i përket kuadrit, Instituti ka një brez punëtorësh shkencorë, të cilët kanë statusin e këshilltarit shkencor, bashkëpunëtorit të lartë dhe bashkëpunëtorit shkencor, por edhe hulumtuesish, që kryesisht përbëjnë brezin e ri të të punësuarve në sektorin e shkencës. Gjithsej Instituti ka 34 punëtorë shkencorë dhe 15 punëtorë administrativë - teknikë.


 

Sot Instituti Albanologjik bashkëpunon me shumë institucione kombëtare e ndërkombëtare. Bashkëpunimi me institucionet kombëtare në Shqipëri dhe në shtetet e tjera, ku jetojnë shqiptarët, është shumë i ngushtë dhe realizohet përmes projekteve të përbashkëta hulumtuese, ekspeditave, simpoziumeve, konferencave, sesioneve e formave të tjera të bashkëpunimit, të cilat përherë e më shumë e thellojnë kuptimin e asaj që quhet Albanologji dhe shkencë e studimeve shqiptare, pa dallime regjionale e shtetërore.


 

Punonjës shkencorë dhe hulumtues të Institutit kanë realizuar specializime në fusha të ndryshme përmes qëndrimeve disamujore nëpër universitetet evropiane e botërore. Këto qëndrime studimore janë të rëndësishme për studimet albanologjike, sepse studiuesit tanë përveç përvojave që kanë sjellë nga qendrat botërore të studimeve, nëpërmjet të këmbimit të literaturës e kanë pasuruar Bibliotekën e Institutit me materiale të vlefshme shkencore.


 

 

veprimtaria e institutit albanologjik

Veprimtaria kërkimore-shkencore e Institutit realizohet përmes projekteve shkencore, punëve hulumtuese në terren, hulumtimeve në arkiva, organizimit të tubimeve shkencore dhe nëpërmjet të veprimtarisë botuese.

 

Projektet shkencore

Pas gjashtë dekadave të punës shkencore, ndonëse me ndërprerje, në Institut janë realizuar një numër i madh projektesh kolektive dhe individuale nga gjuhësia, letërsia, historia, folklori dhe etnologjia. Shumica e projekteve të kryera janë botuar në botime të veçanta, monografi, përmbledhje të veçanta studimesh, në periodikun e Institutit dhe më gjerë.


 

Nga fusha e gjuhësisë janë realizuar projektet nga leksikografia (botimi i disa fjalorëve dygjuhësorë, drejtshkrimorë etj.), dialektologjia, kultura e gjuhës, onomastika etj. Pastaj, nga letërsia janë realizuar projekte nga historia e letërsisë, teoria dhe kritika letrare si dhe studime të veçanta për shkrimtarë e periudha letrare. Nga fusha folklorit është realizuar projekti i përbashkët i botimit të materialeve folklorike në njëzeteshtatë vëllime të veçanta dhe një numër studimesh monografike. Nga historia janë realizuar projekte për probleme të ndryshme arkeologjike si dhe projekte të tjera ku trajtohen tema historike, duke filluar nga mesjeta e deri te historia më e re kombëtare. Nga fusha e etnologjisë janë realizuar projekte që kanë të bëjnë me kulturën shqiptare, doket dhe zakonet.

 

Ekspeditat kërkimore-shkencore në terren

Ekspeditat kërkimore shkencore organizohen në mënyrë kolektive dhe individuale. Ekspeditat kolektive organizohen në zona të ndryshme të Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare, kryesisht aty ku trashëgimia kulturore dhe materiale është më e konservuar. Pas luftës në Kosovë, janë organizuar ekspedita të përbashkëta hulumtuese me hulumtues e studiues nga institutet simotra të Shqipërisë dhe të Maqedonisë nëpër zona të veçanta gjuhësore e etnografike në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni. Kështu, Instituti ka realizuar 6 ekspedita të përbashkëta me institucionet shkencore të Shqipërisë (Institutin e Kulturës Popullore (sot Instituti i Antropologjisë dhe i Studimit të Artit), Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë dhe me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë) dhe të Maqedonisë (Instituti për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Materiale të Shqiptarëve në Maqedoni). Në vitin 2001 dhe 2002 është realizuar ekspedita nga fusha e folklorit dhe etnologjisë në zonën etnografike të Hasit, në të dyja anët e kufirit shtetëror. Nga fusha e Gjuhësisë, në vitin 2001 është realizuar ekspedita në zonën e Lypjanit e Shtimes, në vitin 2002 në zonën e Ferizajt dhe Kaçanikut, dhe në vitin 2003 në rajonin e Anamoravës. Gjatë vitit 2004 studiuesit e folklorit e të etnologjisë kanë realizuar ekspeditën kolektive në fshatrat e Suharekës e Rahovecit, arkeologët kanë bërë hulumtime arkeologjike në zona të veçanta në Kosovë, gjuhëtarët kanë mbledhur material me interes gjuhësor në fshatrat e rrethit të Prizrenit. Më 2010, në bashkëpunim me Institutin për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Materiale të Shqiptarëve në Maqedoni, është organizuar ekspedita shumëdisiplinore hulumtuese në rrethinën e Kumanovës, e cila, përveç mbledhjes së materialit, ka pasur si synim shtesë edhe ngritjen e kapaciteteve hulumtuese-kërkimore të institutit shkupjan.

 Në këto ekspedita kolektive marrin pjesë grupe të studiuesve shkencorë me profile, përvoja dhe mosha të ndryshme, ashtu që përveç mbledhjes dhe hulumtimit të materialeve në terren, mundësohet edhe një përvojë heterogjene brenda grupit, duke i shkëmbyer përvojat edhe vetë pjesëmarrësit në ekspeditë. Ekspeditat realizohen me mjete moderne incizuese e transportuese.

Materialet e mbledhura nëpër ekspedita dorëzohen në Arkivin e Institutit dhe pastaj evidencohen e përpunohen për të shërbyer për studime të mëtutjeshme. Përveç ekspeditave kolektive, janë edhe ato individuale, ku hulumtuesit shkencorë dalin në terren për të studiuar problematika të veçanta të dukurive. Edhe këto janë të përkrahura nga Instituti Albanologjik.

Në kuadër të veprimtarisë kërkimore–shkencore është edhe puna hulumtuese në biblioteka dhe arkiva brenda Kosovës si dhe në Shqipëri, Maqedoni e në vende të tjera. Krahas bashkëpunimit që Instituti Albanologjik zhvillon me shumë institucione kombëtare e ndërkombëtare, është mundësuar realizimi i disa hulumtimeve individuale,  për literaturë dhe dokumente arkivore në bibliotekat dhe arkivat e Shqipërisë. Bashkëpunimi me institucionet kombëtare në Shqipëri dhe në shtetet e tjera ku jetojnë shqiptarët, është shumë i ngushtë dhe realizohet përmes projekteve të përbashkëta hulumtuese, ekspeditave, simpoziumeve, konferencave, sesioneve e formave të tjera të bashkëpunimit


 

 

Simpoziumet, sesionet, konferencat, tryezat e tribunat shkencore

Puna hulumtuese e studimore e punëtorëve të Institutit Albanologjik shprehet përmes prezantimeve të ndryshme publike, siç janë konferencat, simpoziumet, sesionet, tryezat a tribunat shkencore. Në këto prezantime marrin pjesë studiues e shkencëtarë nga fusha të ndryshme profesionale ku shprehin rezultatet e punës së tyre hulumtuese shkencore. Instituti Albanologjik viteve të fundit mban më shumë aktivitete shkencore, ndërsa nga viti 2010 organizon aktivitetin tradicional shumëdisiplinor Java e albanologjisë, në të cilin, përveç punonjësve të brendshëm, marrin pjesë studiues eminentë nga vendet e rajonit dhe më gjerë.

 

 

 

 

 

 

 

 

Veprimtaria botuese

Veprimtaria botuese e Institutit përfshin botimet e rregullta dhe ato të veçanta të Institutit. Botimet e rregullta, që janë organe të përhershme të Institutit, janë revistat:

1.                       Gjurmime albanologjike

a.                        seria e shkencave filologjike

b.                       seria folklor dhe etnologji

c.                        seria e shkencave historike

Deri tani janë botuar nga 41 numra të secilës nga të tri seritë. Në një periudhë kohore revista Gjurmime albanologjike është botuar edhe në gjuhën frënge me punime të zgjedhura me titullin Recherche albanologique.

Nga viti 2008 të tri seritë e Gjurmimeve albanologjike mund të lexohen në variantin elektronik në Central and Eastern European Online Library.

 

2.      Gjuha shqipe

 

Është revistë shkencore-praktike, ku botohen punime për çështje aktuale nga fusha e gjuhësisë zbatimore dhe kultura e gjuhës.

Në këto dy revista publikohen punimet e punëtorëve shkencorë të Institutit dhe të studiuesve të tjerë shqiptarë e të huaj. Për botimin e tyre përkujdesen redaksitë përkatëse, të cilat zgjidhen çdo katër vjet.

Botimet e veçanta përfshijnë botimet e projekteve, monografitë për probleme të ndryshme albanologjike, monografitë për autorët e vjetër të periudhës së Rilindjes Kombëtare apo të periudhave të ndryshme, botimin i materialeve të ndryshme folklorike e shumë të tjera. Deri tani Instituti Albanologjik ka publikuar afër 500 vëllime.


 

 

Struktura organizative

 

I. Puna kërkimore-shkencore

Me qëllim të studimit më të specializuar të kulturës shpirtërore dhe materiale të popullit shqiptar, si dhe të mbulimit të disiplinave përkatëse të albanologjisë, puna kërkimore – shkencore në Institut është e organizuar në degë dhe sektorë.

1.                       Dega e Gjuhësisë:

- Sektori i Dialektologjisë

- Sektori i Leksikografisë

- Sektori i Kulturës së Gjuhës

- Sektori i Onomastikës

 

2.                       Dega e Letërsisë:

-          Sektori i përgjithshëm

 

3.                       Dega e Folklorit:

- Sektori i Letërsisë Popullore

- Sektori i Etnomuzikologjisë

 

Dega e Historisë:

- Sektori i Historisë

- Sektori i Arkeologjisë

 

4.                       Dega e Etnologjisë

 

II. Punët e përgjithshme

Në këtë kategori hyjnë punët e përgjithshme profesionale, administrative, financiare e teknike.


 

 

Biblioteka

Me qëllim që ta ndihmojë zhvillimin e shkencave albanologjike në përgjithësi, gjatë këtyre viteve, Instituti është përpjekur ta formojë një bibliotekë shkencore të specializuar. Fondin e librave të kësaj biblioteke e shfrytëzojnë jo vetëm punëtorët shkencorë të Institutit, por edhe të gjithë bashkëpunëtorët e jashtëm dhe të interesuarit e tjerë.

Sot Instituti në fondin e vet ka rreth 20.000 tituj librash, 130 dorëshkrime e fotokopje dhe rreth 17.000 revista të ndryshme. Ky fond është arritur kryesisht nëpërmjet blerjes, këmbimit dhe donacioneve. Biblioteka ka bashkëpunuar me shumë biblioteka e institucione shkencore në vend dhe në botë e në veçanti me institucionet shkencore, kulturore e arsimore të Shqipërisë.

Edhe biblioteka e Institutit ka kaluar nëpër sfida të historisë. Pas vitit 1981, për shkak të situatës së krijuar në Kosovë, është ndërprerë bashkëpunimi ndërkombëtar. Deri në mars të vitit 1994, fondi i Bibliotekës është ruajtur dhe mbrojtur me të gjitha normat standarde. Pas largimit me dhunë të punëtorëve të Institutit nga ndërtesa e tyre, fondi i Bibliotekës u vendos në shtëpi private të disa qytetarëve të Prishtinës.

Pas luftës në Kosovë dhe kthimit të punëtorëve në objektin e Institutit Albanologjik edhe fondi i librave u kthye në vendin e vet dhe sot është aty ku ka qenë. Bashkëpunimi me biblioteka e institucione kombëtare e ndërkombëtare është rikthyer dhe janë bërë bashkëpunime. Biblioteka e Institutit Albanologjik është pasuruar vazhdimisht me tituj e botime të reja e cila së shpejti do të marrë formën elektronike të shfrytëzimit të saj. Hapësira e sallës së vendosjes së librit, me rinovimin e objektit të Institutit, është dyfishuar.

 

Arkivi shkencor

Arkivi mbledh, rregullon, përpunon dhe ruan lëndën arkivore të mbledhur në terren. Në këtë arkiv është dorëzuar, sistematizuar dhe përpunuar gati i tërë thesari i kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve, i mbledhur në terren nga punëtorët shkencorë të Institutit dhe nga bashkëpunëtorët e tij të jashtëm. Deri para luftës kanë qenë të regjistruara 863 dosje që përmbanin mbi 100 mijë njësi arkivore nga fusha të ndryshme të albanologjisë. Një pjesë e madhe e këtij materiali është botuar në publikimet e Institutit. Rëndësi të veçantë paraqesin materialet e incizuara në bobina magnetofoni. Për shkak të kushteve të papërshtatshme për ruajtje, sidomos pas heqjes së Arkivit nga ndërtesa e Institutit, një pjesë e materies arkivore ka filluar të dëmtohet. Falë ndihmës së donatorëve ky material pjesërisht është incizuar në CD.

Gjatë periudhës së bombardimeve kur forcat serbe e kanë shfrytëzuar objektin e Institutit Albanologjik për t’u strehuar nga sulmet e bombardimeve të NATO-s, Arkivi shkencor është dëmtuar mjaft. Nga kjo periudhë mungojnë dosje të tëra të studiuesve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm, mungojnë vëllime të serive të publikimeve të vjetra, bobina me materiale të incizuara.

Sot Arkivi disponon dosje të dëmtuara të punëtorëve shkencorë, 112 dosje të bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe 135 njësi etnologjike. Me gjithë gjendjen e varfëruar të këtij arkivi, përpjekjet për ta përtërirë dhe pasuruar nuk kanë reshtur.

 

Salla e eksponateve

Instituti Albanologjik ka edhe sallën e eksponateve ku ekspozohen njësitë etnologjike. Këto njësi prezantojnë vlerat e kulturës materiale dhe janë të mbledhura nga zonat e ndryshme etnografike. Pasurimi i fondit të kësaj salle është meritë e punës së etnologëve nga Instituti, por edhe e bashkëpunëtorëve të jashtëm, pra nga terreni. Për ruajtjen dhe kultivimin e këtyre eksponateve kujdesen punëtorët shkencorë e teknikë nga Dega e Etnologjisë dhe nga Arkivi i Institutit. Kjo ekspozitë është e përhershme. Në rinovimin e fundit, të bërë më 2012, hapësira e sallës është dyfishuar, por mbetet problem i mprehtë inventarizimi i saj.


 

 

Administrata

Punët administrative, financiare dhe teknike i kryen shërbimi administrativ, i cili ka qenë në funksion për realizimin e punës kërkimore-shkencore, prej ditës kur nisi të punonte Instituti. Këtë shërbim e përbëjnë të gjithë punëtorët, të cilët kujdesen për organizimin e punëve të ndryshme profesionale, administrative, financiare dhe teknike.

 

Kontaktet për komunikim:                                               

Tel. + 381 38 220 822                                            

Tel & fax: + 381 38 224 156                                  

                                                            

www.institutialbanologjik.com

 

Adresa:

Instituti Albanologjik

Rr. Eqrem Çabej p.n.

10.000 Prishtinë 

KOSOVË

2013 * Të gjitha drejtat e rezervuara 
Instituti Albanologjik